Gjatë vitit 2024, Shqipëria ka qenë subjekt i disa monitorimeve dhe vlerësimeve ndërkombëtare lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave (Komiteti CEDAW për zbatimin e Konventës për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Komiteti GREVIO për zbatimin e Konventës së Stambollit), në raportet e të cilave është evidentuar nevoja e “trajnimit fillestar dhe trajnimit të vazhdueshëm sistematik dhe të detyrueshëm për identifikimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave, përfshirë atë në dimensionin e saj digjital, duke u përqendruar te të drejtat e njeriut të viktimave, siguria, nevojat individuale dhe fuqizimi i tyre”.

Në përgjigje të këtyre rekomandimeve, gjatë vitit 2025, Qendra për Drejtësi Gjinore ka realizuar trajnime me ofrues shërbimesh, pjesë e Mekanizmave të Koordinuar të Referimeve (MKR) në nivel lokal për menaxhimin e rasteve të dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave, kjo sepse shpesh dhuna digjitale ndodh nga ish partnerët, ish-bashkëshortët, etj., subjekt i ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Gjatë 2025, Qendra për Drejtësi Gjinore ka realizuar 12 trajnime me mbi 200 ofrues shërbimesh në 12 bashki, anëtarë të Ekipave Teknikë Ndërdisiplinor të MKR, përkatësisht në: Vlorë, Elbasan, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Korçë, Berat, Lezhë, Dibër, Kukës dhe Gjirokastër.

Tema kryesore e trajnimeve ka qenë “Dhuna ndaj grave në hapësirën digjitale – Menaxhimi efektiv i rasteve dhe mbrojtja e të dhënave personale online”.

Gjatë trajnimeve, është theksuar rëndësia e përdorimit të teknologjive digjitale në mënyrë të sigurt dhe mbrojtjen e privatësisë së viktimave në çdo fazë të procesit të menaxhimit të rasteve. Pjesëmarrësit janë njohur me mjete dhe platforma të ndryshme që ndihmojnë në raportimin dhe ndjekjen e incidenteve të dhunës digjitale, si dhe me procedurat për trajtimin profesional dhe diskret të informacionit konfidencial.

Një pjesë e rëndësishme e këtyre trajnimeve ka qenë edhe forcimi i kapaciteteve të stafit për të ofruar mbështetje psikologjike dhe sociale, duke kuptuar nevojat specifike të viktimave dhe duke siguruar një ambient të sigurt dhe mbështetës.

Në përfundim të ciklit të trajnimeve, pjesëmarrësit u angazhuan për të krijuar rrjete bashkëpunimi më të forta ndërmjet institucioneve lokale dhe aktorëve civilë, me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe efikasitetit në adresimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.

Qendra për Drejtësi Gjinore do të vazhdojë të mbështesë kapacitetet lokale dhe të monitorojë zbatimin e këtyre njohurive në praktikë, duke kontribuar në krijimin e një sistemi më efektiv dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të viktimave të dhunës me bazë gjinore në hapësirën digjitale.