Qendra për Drejtësi Gjinore në partneritet me Bashkinë Vlorë, gjatë vitit 2025 ka ngritur Qendrën e Kujdesit Ditor për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuara në Vlorë e cila ofron një paketë të plotë shërbimesh për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara.
Kjo nismë ka një komponent të fortë gjinor, duke njohur rolin kritik të grave, veçanërisht nënave dhe kujdestareve gra, në kujdesin ndaj fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Në shumë familje, gratë janë kujdestaret kryesore dhe shpesh duhet të bëjnë sakrifica të mëdha personale dhe profesionale.
Është e zakonshme që nënat të lënë punën dhe t’i dedikohen plotësisht kujdesit ndaj fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara. Në përgjigje të këtyre sfidave, kjo nismë ofron një zgjidhje të qëndrueshme për nënat dhe kujdestaret duke krijuar mundësi që të punojnë ndërkohë që fëmijët e tyre marrin shërbime në Qendrën e Kujdesit Ditor.
Qendra qëndron e hapur dhe funksionale në orarin 7:30 – 16:30, nga e hëna në të premte, kohë gjatë së cilës përfituesit, krahas kujdesit ditor, marrin edhe shërbime të specializuara.
Kategoritë që përfitojnë dhe shërbimet e ofruara janë:
- Fëmijë me aftësi të kufizuara, në moshë shkollore (6-17 vjeç), të cilët marrin shërbime për ditën e plotë ose gjysmë dite (pas procesit mësimor) në Qendrën e Kujdesit Ditor. Shërbimet përfshijnë:
- terapi zhvillimi;
- fizioterapi;
- logopedi;
- këshillim dhe asistencë psikologjike;
- aktivitete okupacionale dhe terapi arti.
Për prindërit ofrohet mundësia për t’i sjellë fëmijët e tyre në Qendër në orën 07:30 të mëngjesit ose pas shkollës, ku ata mund të qëndrojnë deri në orën 16:30 dhe të marrin shërbimet sipas nevojave të identifikuara.
- Të rinj me aftësi të kufizuara, të moshës 18-21 vjeç, të cilët marrin shërbime të specializuara me orë, të përshtatura sipas nevojave të tyre të cilat përfshijnë:
- terapi zhvillimi;
- fizioterapi;
- logopedi;
- këshillim dhe asistencë psikologjike;
- aktivitete okupacionale dhe terapi arti.
Përfitues të tjerë të shërbimeve janë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët përfitojnë shërbimet si më poshtë:
- mbështetje psikologjike;
- sesione informimi për prindërimin pozitiv;
- psikoterapi në grup.
Tashmë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre në qytetin e Vlorës, sot kanë një alternativë të sigurt ku ofrohet kujdes gjithëpërfshirës.
Inaugurimi i Qendrës u realizua në muajin Korrik 2025 me pjesëmarrjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Kryetarit të Bashkisë Vlorë, përfaqësuesit të UNICEF në Shqipëri, përfaqësuesit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe përfaqësuesen e World Vision Albania.


















