KUSH JEMI NE?

Vizioni:  ‘Të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gratë dhe vajzat’

Misioni:  Qendra për Drejtësi Gjinore jep kontributin e saj për krijimin e një shoqërie ku të gjitha gratë të jetojnë një jetë me dinjitet, pa diskriminim dhe me mundësi të barabarta.

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri (QDGJSH) është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, jo-politike, e cila punon për fuqizimin e grave dhe vajzave, mbron të drejtat e tyre dhe lufton pabarazitë gjinore. QDGJSH është themeluar me iniciativën e tre grave aktiviste të shoqërisë civile të cilat, prej më tepër se 15 vitesh, kontribuojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave në Shqipëri. QDGJSH është regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë me vendimin nr. 1738, datë 28/06/2022. Sipas legjislacionit në fuqi, QDGJSH është regjistruar edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Tiranë me nr. NIPT: M22002451K.

Selia e Qendrës ndodhet në Tiranë por ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.

Qasja e Qendrës për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, është:

  • Të punojë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, rritjen e nivelit të informimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare rreth të drejtave të grave dhe çështjeve gjinore;
  • Të mbështesë gratë dhe vajzat për të rritur pjesëmarrjen dhe influencën e tyre në jetën sociale, ekonomike dhe politike të vendit nëpërmjet zbatimit të programeve të fuqizimit, lidershipit, rritjes së aftësive personale dhe profesionale, etj.;
  • Të adresojë nevojat e grave dhe vajzave viktima të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve direkte me qëllim fuqizimin e tyre social dhe ekonomik;
  • Të rrisë kapacitetet e ofruesve të shërbimeve që punojnë për mbrojtjen dhe mbështetjen e grave dhe vajzave;
  • Të avokojë dhe lobojë për respektimin e të drejtave të grave dhe arritjen e drejtësisë gjinore në shoqërinë shqiptare;
  • Të kryejë studime, analiza dhe kërkime rreth çështjeve gjinore, përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje.

Grupet në dobi të të cilëve Qendra për Drejtësi Gjinore ushtron veprimtarinë, janë:

  • Gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje;
  • Gra dhe vajza që përballen me sfida sociale dhe ekonomike;
  • Të rinj dhe të reja që studiojnë në universitete;
  • Të rinj dhe të reja të gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare;
  • Komuniteti;
  • Ofrues shërbimesh që punojnë për mbrojtjen dhe mbështetjen e grave dhe vajzave.
    1. STRUKTURA ORGANIZATIVE
    QDGJSH është themeluar në formën e Qendrës dhe struktura më e lartë vendimmarrëse është Bordi i Drejtorëve. Bordi përcakton fushat e ndërhyrjes të organizatës; kontrollon dhe supervizon rregullisht veprimtarinë; supervizon çështjet financiare dhe administrative; aprovon raportet vjetore financiare dhe narrative.

Drejtori Ekzekutiv përfaqëson ligjërisht organizatën. Drejtori është përgjegjës për menaxhimin e organizatës, aktivitetet e realizuara, shërbimet e ofruara dhe menaxhimin e shpenzimeve, supervizuar nga Bordi i Drejtorëve.

Stafi është i përbërë nga 4 persona me një eksperiencë të gjatë në sektorin e shoqërisë civile, përkatësisht: Drejtor Ekzekutiv, Koordinator Projekti, Avokate, Menaxhere Finance. Gjithashtu, 3 këshillues (në fushën sociale) ofrojnë shërbimet e tyre për organizatën. 5 praktikantë / vullnetarë janë të angazhuar në realizimin e aktiviteteve të organizatës. QDGJSH ka një staf me përvojë të gjerë në sektorin e shoqërisë civile. Drejtori Ekzekutiv ka mbi 15 vite eksperiencë pune në OJF kombëtare dhe Menaxheri i Financës ka punuar për projekte të financuara nga organizata dhe agjenci ndërkombëtare, duke poseduar aftësitë profesionale të nevojshme për të mbajtur të dhënat financiare dhe për të raportuar sipas kërkesave të donatorëve. Gjithashtu, Koordinatori e Projekteve dhe grupi i ekspertëve që bashkëpunojnë me organizatën, kanë eksperiencë shumëvjeçare në sektorin e shoqërisë civile dhe janë profesionistë në fushat përkatëse. Duke marrë parasysh sa më sipër, QDGJSH zotëron kapacitetet operacionale, financiare dhe ekspertizën e nevojshme për të zbatuar me sukses projekte dhe për të arritur objektivat e parashikuara.

2. PARTNERITETE DHE RRJETËZIME

Prej muajit Shtator 2022, Qendra për Drejtësi Gjinore është anëtare e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një rrjet kombëtar i cili monitoron dhe promovon implementimin e rekomandimeve të Komitetit CEDAW, GREVIO, UPR dhe kontribuon për të adresuar problematika gjatë dhe pas procesit të monitorimit.

Në fillim të muajit Nëntor 2022, QDGJSH u bë anëtare e Shoqatës për të Drejtat e Grave në Zhvillim (AWID), një organizatë feministe globale e cila punon për të arritur drejtësi gjinore dhe për të mbrojtur lëvizjet e grave në botë.

Në Dhjetor 2022, QDGJSH u anëtarësua pranë Fondacionit Anna Lindh/Rrjeti Shqiptar, një institucion për dialog i bashkë-krijuar nga Bashkimi Europian dhe Vendet Partnere të Mesdheut. Qendra është gjithashtu anëtare e Akademisë së OJF-ve, e themeluar nga Universiteti i Vjenës për Ekonomiks dhe Biznes dhe që punon me qëllimin për të forcuar sektorin e shoqërisë civile në Europën qëndrore dhe jug-lindore.

Rrjeti Iris mirëpriti QDGJSH si anëtare në Gusht të vitit 2023 me qëllimin për të bashkëpunuar në ofrimin e shërbimeve për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Në muajin Shtator 2023, QDGJSH u anëtarësua pranë CIVICUS, një aleancë globale e organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të dedikuar për të fuqizuar veprimtarinë e shoqërisë civile në botë.

Qendra është gjithashtu anëtare e Rrjetit Kombëtare të OJF-ve Kundër Korrupsionit i cili synon të bashkojë OJF-të në inisiativa dhe përpjekje të përbashkëta kundër korrupsionit, përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Prej themelimit, QDGJSH ka ndërtuar partneritete edhe me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, të tilla si: Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Partnerët për Shqipërinë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Instituti Shqiptar i Medias, Aleanca Gjinore për Zhvillim, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Qendra për të Drejtat në Punë, etj.

Lidhur me partneritetet me institucionet shtetërore, QDGJSH ka ngritur partneritete të rëndësishme dhe bashkëpunon me: Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të rritur kapacitetet e punonjësve të policisë në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë rreth menaxhimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore; Bashkinë Tiranë për të ofruar shërbime sociale dhe ligjore dhe për të rritur kapacitetet e punonjësve social të Njësive Administrative rreth dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore; Bashkitë Lushnjë dhe Elbasan për të ofruar shërbime direkte për viktimat e dhunës, etj.

Institucione të tjera me të cilat QDGJSH bashkëpunon për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, janë: Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, Universiteti i Tiranës/Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, universitete të tjera jo-publike.

3. ARRITJET

  1. Prej themelimit të saj, QDGJSH ka patur arritje të rëndësishme, si:
  2. Ka forcuar kapacitetet e mbi 250 oficerëve të policisë në parandalimin e femicidit, dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
  3. Ka forcuar kapacitetet e mbi 350 ofruesve të shërbimeve mbi menaxhimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore (përfshirë dhunën online ndaj grave dhe vajzave).
  4. Ka ngritur një Qendër Ditore për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Bashkinë Vlorë, duke i dhënë prioritet shërbimeve për fëmijët e nënave të vetme ose të divorcuara.
  5. Ka rritur ndërgjegjësimin e mbi 2,200 studentëve në universitetet publike dhe private në Tiranë, Durrës dhe Elbasan mbi të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe të drejtat e grave në tregun e punës.
  6. Ka informuar dhe ndërgjegjësuar 320 gra dhe vajza në zonat rurale mbi të drejtat e tyre të trashëgimisë dhe pronësisë.
  7. Ka informuar mbi 1,500 gra dhe vajza mbi legjislacionin e dhunës në familje, procedurat e raportimit dhe shërbimet mbrojtëse në dispozicion.
  8. Ka zhvilluar sesione informuese mbi prindërimin pozitiv me më shumë se 120 gra dhe burra.
  9. Ka ofruar psikoterapi në grup për 20 gra dhe vajza që janë të mbijetuara të dhunës në familje.
  10. Ka ofruar shërbime të drejtpërdrejta sociale dhe ligjore për mbi 250 gra dhe vajza.
  11. Ka ofruar mbështetje emergjente për më shumë se 100 të mbijetuara të dhunës në familje, duke përfshirë pagesën e qirasë, paketa ushqimore, mjete higjienike, medikamente dhe materiale shkollore për fëmijët.
  12. Ka trajnuar 20 aktiviste për të drejtat e grave mbi planifikimin e sigurisë.
  13. Ka publikuar dhe shpërndarë 1,300 materiale informuese mbi mosdiskriminimin.
  14. Ka publikuar një Manual mbi Menaxhimin e Rasteve të Dhunës në Familje për Punonjësit Socialë në Njësitë e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit në nivel Njësie Administrative.
  15. Ka publikuar një raport monitorimi mbi zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Bashkinë Elbasan.

Krahas sa më sipër, QDGJSH punon në drejtim të lobimit dhe avokatësisë ku ka jep kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e legjislacionit dhe politikave në mbrojtje të grave dhe të drejtave të tyre, nëpërmjet: dhënies së inputeve për institucione shtetërore dhe institucione/agjenci ndërkombëtare; deklaratave publike ku është bërë pjesë; dhënies së ekspertizës në shkrimin e raporteve hije për zbatimin e Konventës CEDAW nga Shqipëria, Konventës së Stambollit dhe UPR; pjesëmarrjes në protesta për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.

QDGJSH ka kontribuar si ekspert në Raportin “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2024”, publikim i Bankës Botërore, prej së cilës është vlerësuar edhe me Çertifikatë Mirënjohjeje.

Prej muajit Qershor 2024, QDGJSH është bërë pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Anti-korrupsionin dhe Sundimin e ligjit ku është angazhuar si ekspert i nivelit të lartë dhe po kontribuon për “të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”.