Datë: 12 Korrik 2023

TERMA REFERENCE

SHËRBIMI I KËRKUAR: EKSPERTIZË PËR REALIZIMIN E NJË UDHËZUESI PËR PUNONJËS TË NJËSIVE ADMINISTRATIVE

1. HYRJE

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri (QDGJSH) është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, jo-politike, e cila punon për fuqizimin e grave dhe vajzave, mbron të drejtat e tyre dhe lufton pabarazitë gjinore. QDGJSH është regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më datë 28/06/2022 me vendimin nr. 1738. Sipas legjislacionit në fuqi, QDGJSH është regjistruar gjithashtu pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Tiranë me nr. NIPT: M22002451K. Misioni i Qendrës është të kontribuojë për krijimin e një shoqërie ku të gjitha gratë të jetojnë një jetë me dinjitet, pa diskriminim dhe me mundësi të barabarta.

Qasja e Qendrës për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, është:

 Të punojë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, rritjen e nivelit të informimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare rreth të drejtave të grave dhe çështjeve gjinore;
 Të mbështesë gratë dhe vajzat për të rritur pjesëmarrjen dhe influencën e tyre në jetën sociale, ekonomike dhe politike të vendit nëpërmjet zbatimit të programeve të lidershipit, rritjes së aftësive profesionale, etj.;
 Të adresojë nevojat e grave dhe vajzave viktima të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve direkte me qëllim fuqizimin e tyre social dhe ekonomik;
 Të rrisë kapacitetet e punonjësve të institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore që punojnë për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për gra dhe vajza;
 Të advokojë dhe lobojë për respektimin e të drejtave të grave dhe arritjen e drejtësisë gjinore në shoqërinë shqiptare;
 Të kryejë studime, analiza dhe kërkime rreth çështjeve gjinore, përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje.

2. INFORMACION MBI SHËRBIMIN E KËRKUAR

Qendra për Drejtësi Gjinore, më 20 Prill 2023, ka filluar zbatimin e projektit: “Ofrimi i sigurisë dhe mbrojtjes efektive për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në Bashkinë Tiranë”, me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” i zbatuar nga Centar za Promociju Civilnog Društva (CPCD) në partneritet me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
Në kuadër të projektit, kërkohet të kontraktohet një ekspert për realizimin e një udhëzuesi për punonjës të Njësive Administrative (NJA) në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Udhëzuesi do të përmbajë 3 shtylla kryesore: 1) identifikimi i faktorëve dhe vlerësimi fillestar i riskut; 2) identifikimi dhe menaxhimi i nevojave emergjente; 3) monitorimi dhe referimi i rasteve.

Qëllimi i hartimit të udhëzuesit do të jetë t’i vijë në ndihmë punonjësve të NJA dhe t’i orientojë drejt veprimeve që duhet të kryejnë për trajtimin efektiv të rasteve, viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

3. PERIUDHA E SHËRBIMIT TË KËRKUAR
Shërbimi do të ofrohet gjatë periudhës 15 Gusht – 15 Tetor 2023 dhe do të konsistojë në 16 ditë pune.

4. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË KRYESORE
 Të realizojë metodologjinë e udhëzuesit dhe të vijojë punën për hartimin e tij pas aprovimit të metodologjisë nga QDGJSH;
 Të hartojë draft udhëzuesin;
 Të finalizojë udhëzuesin në përshtatje me komentet sugjerimet e QDGJSH mbi draftin (në rast se do të ketë);
 Të ketë komunikim korrekt dhe bashkëpunim me stafin e QDGJSH, përgjegjës për zbatimin e projektit;
 Të përgatisë dhe dorëzojë kohëshënuesin për punën e kryer në përfundim të shërbimit të kërkuar.

5. KUALIFIKIME DHE AFTËSI TË KERKUARA

 Diplomë universitare (preferohet në shkenca sociale apo drejtësi);
 Master shkencor apo profesional (preferohet në shkenca sociale apo drejtësi);
 Të zotërojë njohuri shumë të mira të çështjeve gjinore, dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut;
 Të ketë eksperienca të mëparshme pune për realizimin e studimeve, manualeve, udhëzuesve apo raporte me fokus në çështjet gjinore, dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore;
 Të ketë eksperienca të mëparshme pune me organizata të shoqërisë civile;
 Të zotërojë aftësi shumë të mira komunikuese;
 Të jetë bashkëpunues/e, me qasje pozitive dhe etikë profesionale.

6. PROCESI I APLIKIMIT
Aplikantët e interesuar duhet të dërgojnë me shkrim në adresën elektronike ose adresën postare të Qendrës për Drejtësi Gjinore dokumentacionin e poshtëshënuar:

 Curriculum Vitae;
 Letër motivimi;
 Ofertë financiare për shërbimin e kërkuar.

Adresë elektronike: genderjusticealbania@gmail.com;  adena.vangjeli@gjalbania.org

Adresë postare: Rr. “Medar Shtylla”, Nd. 26/5, Ap. 77, Tiranë, Shqipëri.

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri

7. AFATET

Afati për dërgimin e aplikimeve: 31/07/2023, ora 17:00
Njoftimi i aplikanëtve: 11/08/2023