Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e çështjeve gjinore, kryesisht përmes përmirësimit të kuadrit ligjor dhe përafrimit të tij me standartet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, pabarazitë gjinore, dhuna ndaj grave dhe vajzave, vazhdojnë të jenë shqetësim serioz dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut duke ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në shoqëri. Pabarazia gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, është një humbje e jashtëzakonshme e potencialit njerëzor të botës. Duke u mohuar grave të drejta të barabarta, ne i mohojmë gjysmës së popullsisë mundësinë për të jetuar duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë. Nëse arrihet barazia gjinore nuk do të përfitojnë vetëm gratë por të gjithë qytetarët e botës.
Gratë janë gjysma e popullsisë në moshë pune në botë, por gjenerojnë vetëm 37% të GDP-së globale. 12 trilion USD mund ti shtohen GDP-së globale deri në vitin 2025 nëse punojmë për të avancuar barazinë gjinore (Instituti Global McKinsey, 2015).
Në vitin 2015, 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara u mblodhën për të aprovuar 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm , të njohur edhe si Objektivat Global. Objektivat janë një thirrje universale për veprim për të arritur ‘një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë’.
Objektivi 5 vendosi synimin ambicioz për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave kudo në botë deri në vitin 2030. Pabarazia gjinore mund të fillojë pikërisht në momentin e lindjes dhe të vazhdojë gjatë gjithë jetës së një gruaje.
Gratë në Shqipëri përballen me forma të ndryshme të trajtimit të pabarabartë, duke përfshirë diskriminimin, ngacmimin, dhunën në familje dhe abuzimin seksual. Forma të tjera veçanërisht të përhapura janë: martesat e detyruara, vrasjet për nder, privimi nga arsimi, mohimi i të drejtave pronësore dhe mungesa e aksesit në punë dhe shërbime, diskriminimi në punë, pjesëmarrja e pabarabartë në vendimmarrje, etj.
Anketa e Tretë Kombëtare e Bazuar në Popullsinë për Dhunën ndaj Grave e kryer nga Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë (INSTAT) në vitin 2018, tregoi se një në dy (52.9%) gra shqiptare kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës ndaj grave gjatë jetës së tyre dhe 36.6% e tyre pohuan se aktualisht janë duke përjetuar dhunë. Format më të zakonshme të dhunës janë përjetuar gjatë një lidhjeje dashurie ose në familje dhe ushtrohen nga partneri intim (INSTAT, “Gratë dhe burrat në Shqipëri”, 2021).
Të dhënat e Policisë së Shtetit për vitin 2021, treguan se janë evidentuar dhe trajtuar nga policia gjithsej 5312 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të kryera në marrëdhëniet familjare, 611 raste më shumë (13%) se viti 2020. Janë trajtuar 3266 raste të dhunës në familje me kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes/urdhrit të mbrojtjes, 15.9% më shumë raste se në vitin 2020. Përqindja më e lartë e grave që i nënshtrohen dhunës në familje (bazuar në numrin e aplikimeve për urdhër mbrojtje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje) është përqendruar në qarkun e Tiranës, i ndjekur nga Durrësi dhe Vlora.
Viti 2021 tregoi gjithashtu një rritje shqetësuese të rasteve të femicidit në Shqipëri. 21 gra dhe vajza u vranë nga partneri, bashkëshorti ose një anëtar tjetër i familjes (70% më shumë raste krahasuar me 2020). Në shumicën e rasteve, viktimat e kishin denoncuar dhunën në polici dhe kishin marrë një urdhër mbrojtje nga gjykata. Sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e viktimave sepse nuk ka marrë masat e duhura ndaj autorëve të krimit dhe nuk ka siguruar mbrojtje për viktimat.
Edhe pse numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore ka qenë në rritje të vazhdueshme, shumica e grave që përjetojnë dhunë nuk kërkojnë asnjëherë ndihmë ose nuk e raportojnë dhunën tek autoritetet. Kjo për shkak edhe të mungesës së besimit që kanë ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë për detyrë të mbështesin dhe mbrojnë viktimat e dhunës. Bazuar në sondazhin kombëtar ‘Barometri Shqiptar i Sigurisë’ të kryer nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në vitin 2020, 13,6% e popullsisë së anketuar deklaroi se nuk i beson Policisë së Shtetit. Këto përqindje thellohen ndjeshëm kur bëhet fjalë për Prokurorinë dhe Gjykatën: 43.5% nuk i besojnë punës së Prokurorisë dhe besimi në gjykata është akoma më i ulët ku 45.9% e popullsisë deklaroi se nuk ka besim, që është absolute shifra më e lartë krahasuar me të gjitha institucionet e vëzhguara nga ky sondazh kombëtar.
Në të gjithë botën, gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta: të drejtën për të jetuar të lira nga dhuna dhe skllavëria, të drejtën për t’u arsimuar, të drejtën për të fituar pagë të barabartë për punë të barabartë me burrat, të drejtën për të gëzuar pronë, të drejtën për t’u shprehur lirisht dhe për të/t’u votuar. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar në vitin 1948, shprehet për ‘të drejta të barabarta për burrat dhe gratë’.
Në vitin 1979, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW). E përshkruar si një ligj ndërkombëtar i të drejtave për gratë, Konventa hyri në fuqi më 3 shtator 1981. Konventa e përcakton diskriminimin ndaj grave në termat e mëposhtëm:
“Çdo dallim, përjashtim ose kufizim i bërë në bazë të seksit që ka efekt ose qëllim të dëmtojë ose anullojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin nga gratë të të drejtave të tyre, pavarësisht nga statusi i tyre martesor, mbi bazën e barazisë së burrave dhe grave, të të drejtave të njeriut dhe liritë themelore në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore, civile apo në çdo fushë tjetër”.
Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave është një akt kyç ndërkombëtar që trajton diskriminimin me bazë gjinor dhe ofron mbrojtje specifike për të drejtat e grave. Konventa përcakton se çfarë detyrimesh kanë shtetet për t'u siguruar që gratë të mund t'i gëzojnë ato të drejta. Mbi 180 shtete e kanë ratifikuar këtë Konventë.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thekson se, për të avancuar drejtësinë gjinore, "Gratë duhet të njohin të drejtat e tyre dhe të jenë në gjendje të kenë akses në sistemet ligjore" dhe Deklarata e OKB-së e 1993 mbi Eliminimin e Dhunës kundër Grave shprehet në nenin 4 se "Shtetet duhet gjithashtu të informojnë gratë për të drejtat e tyre".
Sipas jurisprudencës së KEDNJ, e drejta për liri nga diskriminimi gjinor përfshin jo vetëm detyrimin e shteteve për të trajtuar në të njëjtën mënyrë personat që ndodhen në situata analoge, por edhe detyrimin për të trajtuar në mënyrë të ndryshme personat që ndodhen në situata të ndryshme. Prandaj, shtetet ndonjëherë duhet të bëjnë dallimin midis grave dhe burrave – për shembull duke ofruar për gratë leje lindje ose mbrojtje të tjera ligjore që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen e fëmijës (për të marrë parasysh realitetet biologjike të riprodhimit), ose duke pranuar një kontekst specifik historik. Për shembull, aktet e dhunës të kryera nga burrat ndaj grave nuk ndodhin në vakum, por janë pjesë e një konteksti social. Në çështjen e njohur Opuz kundër Turqisë, GJEDNJ e përkufizoi dhunën ndaj grave si një formë diskriminimi ndaj grave. Ky është edhe qëndrimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (e ashtëquajtur Konvene së Stambollit) e cila në nenin 3 thotë se “dhuna ndaj grave” kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave.
Një raport i vitit 2019 nga Banka Botërore zbuloi se gratë kanë të drejta të plota ligjore për burrat në vetëm gjashtë vende: Belgjikë, Danimarkë, Francë, Letoni, Luksemburg dhe Suedi.