Lajm · 10 dhjetor 2025
Qendra e Kujdesit Ditor për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuara në Vlorë

Qendra për Drejtësi Gjinore, në partneritet me Bashkinë Vlorë, gjatë vitit 2025 ka ngritur Qendrën e Kujdesit Ditor për Fëmijë dhe të Rinj me Aftësi të Kufizuara në Vlorë, e cila ofron një paketë të plotë shërbimesh.
Kjo nismë ka një komponent të fortë gjinor, duke njohur rolin kritik të grave, veçanërisht nënave dhe kujdestareve, në kujdesin ndaj fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Është e zakonshme që nënat të lënë punën për t’iu dedikuar plotësisht kujdesit. Kjo nismë ofron një zgjidhje të qëndrueshme, duke krijuar mundësi që ato të punojnë ndërkohë që fëmijët marrin shërbime në Qendër.
Qendra është e hapur nga e hëna në të premte, në orarin 7:30 – 16:30.
Kategoritë që përfitojnë dhe shërbimet
- Fëmijë me aftësi të kufizuara, në moshë shkollore (6–17 vjeç), me shërbime për ditë të plotë ose gjysmë dite: terapi zhvillimi, fizioterapi, logopedi, këshillim dhe asistencë psikologjike, aktivitete okupacionale dhe terapi arti.
- Të rinj me aftësi të kufizuara, 18–21 vjeç, me shërbime të specializuara me orë, të përshtatura sipas nevojave të tyre.
- Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara: mbështetje psikologjike, sesione informimi për prindërimin pozitiv dhe psikoterapi në grup.
Inaugurimi i Qendrës u realizua në korrik 2025, me pjesëmarrjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryetarit të Bashkisë Vlorë, përfaqësuesit të UNICEF në Shqipëri, përfaqësuesit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe përfaqësueses së World Vision Albania.
