Shkruani të paktën dy shkronja.

Pse gratë dhe vajzat?

Shqipëria ka bërë përparim, kryesisht përmes kuadrit ligjor. Megjithatë, pabarazitë gjinore dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave mbeten një shqetësim serioz dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

52.9%

e grave shqiptare kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës gjatë jetës.

INSTAT, 2018
24

gra dhe vajza u vranë nga partneri, bashkëshorti ose një anëtar tjetër i familjes në vitet 2021-2023.

Raport i UN Women, 2024
41%

e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar dhunë digjitale

Raport i UN Women, 2023

Konteksti

Një humbje për të gjithë

Pabarazia gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, është një humbje e jashtëzakonshme e potencialit njerëzor të botës.

Duke u mohuar grave të drejta të barabarta, ne i mohojmë gjysmës së popullsisë mundësinë për të jetuar duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë. Nëse arrihet barazia gjinore, nuk do të përfitojnë vetëm gratë, por të gjithë qytetarët e botës.

Në vitin 2015, 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Objektivi 5 vendosi synimin për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave kudo në botë deri në vitin 2030.

Me çfarë përballen gratë në Shqipëri

Gratë në Shqipëri përballen me forma të ndryshme të trajtimit të pabarabartë, duke përfshirë diskriminimin, ngacmimin, dhunën në familje dhe abuzimin seksual. Forma të tjera veçanërisht të përhapura janë martesat e detyruara, vrasjet për nder, privimi nga arsimi, mohimi i të drejtave pronësore, mungesa e aksesit në punë dhe shërbime, diskriminimi në punë dhe pjesëmarrja e pabarabartë në vendimmarrje.

Profili Gjinor i Vendit 2025 evidenton punën e papaguar të kujdesit dhe rolet tradicionale gjinore si pengesa të vazhdueshme për mundësitë ekonomike të grave. Përgjegjësitë për kujdesin ndaj fëmijëve, të afërmve të moshuar dhe anëtarëve të familjes me aftësi të kufizuara mund të kufizojnë aksesin në punësim të paguar dhe përparimin në karrierë. Adresimi i këtyre pengesave kërkon investime në shërbimet e kujdesit, krahas masave për nxitjen e punësimit.

Hendeku mesatar gjinor në paga i raportuar duhet të interpretohet duke marrë parasysh edhe këto pabarazi më të gjera. Krahasimi i pagave mesatare nuk përfshin gratë që janë jashtë punësimit të paguar ose që punojnë pa shpërblim. Gjithashtu, ai nuk shpjegon plotësisht dallimet në orët e punës, mundësitë profesionale apo aksesin në pozicione drejtuese.

Për të mbijetuarat e dhunës, pasiguria financiare e bën më të vështirë largimin nga një marrëdhënie abuzive. Prandaj, mbështetja për punësim duhet të ndërthuret me ndihmën ligjore, këshillimin psikologjik, shërbimet e kujdesit për fëmijët, strehimin dhe mbrojtjen sociale.

Aksesi në strehim mbetet një sfidë madhore për të mbijetuarat e dhunës. Në Shqipëri funksionojnë strehëza që ofrojnë strehim emergjent ose afatgjatë për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë. Megjithatë, të mbijetuarat që, për arsye të ndryshme, nuk dëshirojnë të qëndrojnë në një strehëz, mbeten pa një zgjidhje alternative. Shteti nuk ofron mundësi alternative strehimi, siç janë banesat sociale. Bashkitë mund të mbulojnë kostot e qirasë në disa raste, por kjo mbështetje ka disa kufizime, përfshirë kohëzgjatjen e kufizuar, kufijtë maksimalë të shumës së mbuluar dhe procedurat burokratike që pengojnë disa të mbijetuara të përfitojnë prej saj.

Ndihma ekonomike shtetërore për të mbijetuarat e dhunës që kanë përfituar urdhër mbrojtjeje aktualisht është 9 900 lekë në muaj (afërsisht 90 euro). Kjo shumë është jashtëzakonisht e ulët dhe e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë të jetesës, veçanërisht në kushtet e inflacionit të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit.

Pse shumë gra nuk kërkojnë ndihmë

Edhe pse numri i rasteve të raportuara ka qenë në rritje, shumica e grave që përjetojnë dhunë nuk kërkojnë asnjëherë ndihmë ose nuk e raportojnë dhunën te autoritetet, edhe për shkak të mungesës së besimit te institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. Sipas Barometrit Shqiptar të Sigurisë (2020), 13.6% e të anketuarve nuk i besojnë Policisë së Shtetit, 43.5% nuk i besojnë Prokurorisë dhe 45.9% nuk kanë besim te gjykatat.

Korniza ndërkombëtare

Të drejtat e grave

Në të gjithë botën, gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta: të jetojnë të lira nga dhuna dhe skllavëria, të arsimohen, të fitojnë pagë të barabartë për punë të barabartë, të gëzojnë pronë, të shprehen lirisht dhe të votojnë.

CEDAW

Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, e miratuar në vitin 1979 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, hyri në fuqi më 3 shtator 1981 dhe përcakton detyrimet e shteteve për t’u siguruar që gratë t’i gëzojnë të drejtat e tyre. Mbi 180 shtete e kanë ratifikuar.

Konventa e Stambollit

Në nenin 3, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje e përkufizon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Në çështjen e njohur Opuz kundër Turqisë, Gjykata e përkufizoi dhunën ndaj grave si një formë diskriminimi ndaj grave.

Të dhënat vijnë nga faqja aktuale e Qendrës dhe datojnë nga vitet 2018–2021.