Lajm · 27 shtator 2023
Trajnime me punonjës të Njësive Administrative, Bashkia Tiranë

Në kuadër të projektit “Ofrimi i sigurisë dhe mbrojtjes efektive për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në Bashkinë Tiranë”, më 20, 22 dhe 27 qershor, Qendra ka realizuar trajnimet me temë “Përmirësimi i përgjigjes së Bashkisë Tiranë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”.
Gjatë trajnimeve, 53 punonjës të Njësive Administrative janë informuar rreth:
- zbatimit të ndryshimeve të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”;
- evidentimit të faktorëve të riskut që cënojnë sigurinë, jetën dhe shëndetin e grave dhe vajzave;
- menaxhimit, referimit dhe monitorimit të rasteve.
Në përfundim, pjesëmarrësit u organizuan në fokus-grupe, ku u diskutua gjerësisht rreth vështirësive në zbatimin e legjislacionit në praktikë dhe u ndanë praktika të mira për menaxhimin e suksesshëm të rasteve.
Trajnimet u realizuan në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, në mbështetje të Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2022–2024, me mbështetjen e projektit rajonal SMART Balkans, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
